Miratohet ndërtimi i dy centraleve fotovoltaike në Fier
Qeveria ka miratuar ndërtimin e dy centraleve fotovoltaike në Fier, me kapacitet total 140 MW, për të rritur prodhimin e energjisë së rinovueshme.
Këshilli i Ministrave miratoi ndërtimin e dy centraleve gjeneruese të energjisë elektrike fotovoltaike në bashkinë Fier, me një kapacitet total të instaluar prej 140 megavatësh, investime që synojnë rritjen e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme në vend.
Sipas relacioneve që shoqërojnë këto vendime, centrali i parë do të ndërtohet nga shoqëria “FOS SOLAR” sh.p.k. në zonën kadastrale 3038, në fshatin Povelçë, njësia administrative Dërmenas, me një kapacitet të instaluar prej 40 MW.
Ndërsa centrali i dytë do të realizohet nga shoqëria “EURON SOLAR-PV” sh.p.k., me vendndodhje në fshatrat Fushë dhe Povelçë të bashkisë Fier, me një kapacitet të instaluar prej 100 MW.
Të dy projektet nuk janë objekt koncesioni dhe nuk përfitojnë nga masat mbështetëse. Sipas vendimeve të qeverisë, afati për ndërtimin, pajisjen me leje ndërtimi dhe vënien në operim të impianteve do të jetë brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e vendimeve, ndërsa afati i operimit është përcaktuar 49 vjet.
Në të dy rastet, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore do të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme çdo tre muaj gjatë realizimit të punimeve dhe operimit të impianteve.
Shoqëritë zbatuese kanë detyrimin të raportojnë periodikisht mbi ecurinë e ndërtimit, të respektojnë kushtet mjedisore dhe të dorëzojnë sigurimin e kontratës në mason jo më pak se 5% të vlerës së investimit.